Akademia e Farmacisë "Eureka"

Historiku

Akademia e Farmacisë “Eureka” e themeluar nga Prof. Ledjan Malaj vazhdon traditën e familjes Malaj dhe të Kompanisë “Eureka” Shpk, një ndër farmacitë e para e më pas distributor farmaceutik në Shqipëri.

“Eureka” Shpk lindi në fillim të viteve ‘90 në qytetin e Elbasanit, për t’ju gjendur pranë në ato momente të vështira pacientëve të qytetit, falë Baftjar Malajt, farmacistit me një kontribut të pakursyer në shumë dimensione.

Si profesionist i shëndetësisë, i sistemit publik ai punoi nga fundi i viteve ‘60 e deri në fillim të viteve ‘90 në nivele të ndryshme të sistemit shëndetësor të rajonit Elbasan duke përmirësuar shërbimet ndaj komunitetit.

Me mbarimin e shkollës së lartë, edhe pse u dallua si një nga farmacistët më të talentuar të brezit të tij në Tiranë, ai u kthye në Elbasan, duke zgjedhur përkohësisht t’i shërbejë komunitetit të Cërrikut dhe më vonë sërish në Elbasan. Në fund të viteve ‘70 ai ka mbajtur pozicionin e zv. shefit të seksionit për shëndetësinë, ku ka dhënë kontribut thelbësor në ngritjen e infrastrukturës shëndetësore të qytetit dhe rajonit, duke filluar nga qendrat shëndetësore dhe deri në përmirësimin e kushteve të strukturave poli-ambulatore dhe spitalore.

Gjithashtu ai dha kontribut në ngritjen e nivelit të burimeve njerëzore duke krijuar mundësi për kuota specializimi dhe ngritjeje për profesionistët e shëndetësisë të qytetit dhe rajonit. Ai u angazhua gjatë kësaj kohe dhe në zhvillimin e mëtejshëm të shëndetit publik në territor, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në regjistrat e statistikave, monitorimin e treguesve dhe marrjen e masave të higjenës aq të rëndësishme për komunitetin.  

Në vitet ‘80 ai mori pozicionin e drejtorit të shërbimit farmaceutik për Elbasanin dhe gjithë rajonin. Një mundësi për të dhënë një kontribut edhe më specifik në ngritjen e profesionit të tij si farmacist, gjë që kishte bërë dhe gjatë kohës kur mbante pozicion në komitetin ekzekutiv. Ai riarganizoi në themel infrastukturën e farmacive, duke ngritur rreth 30 farmaci në qytetin e Elbasanit dhe rajon, me një koncept të ri, duke i vendosur farmacitë në pozicione qendrore brenda komunitetit. Një sistem organik që arriti, brenda mundësive të kohës, të garantonte një cilësi për qytetarët e Elbasanit, të ngjashme me ato të Tiranës. Një gjë kjo që u vlerësua në disa raste nga institucionet e kohës, për drejtorinë dhe për vetë Baftjar Malaj, i cili ka marrë gjatë jetës së tij shumë çmime.

Rrjeti farmaceutik i Elbasanit u dallua për krijimin e farmacive të specializuara për kujdesin pediatrik, formalizimin e farmacisë të bimëve popullore, si dhe administrimin e shpërndarjes së shërbimeve në disa nivele, nga depoja farmaceutike, tek farmacitë e territorit dhe ato spitalore. Risi këto për kohën.

Një faktor thelbësor në ngritjen e cilësisë së shërbimit ishte dhe përkujdesi për ngritjen profesionale dhe shkencore të burimeve njerëzore. Shpesh farmacistë nga Elbasani arrinin të prezantonin risi profesionale dhe shkencore dhe punime pikërisht si rezultat i frymës së krijuar nga ky drejtues.

Në fillimin e viteve ‘90 ai sëbashku me kolegët e tij kërkuan të privatizojnë ndërmarrjen farmaceutike të qytetit, duke bërë aksionerë punonjësit e saj dhe duke ruajtur strukturën e krijuar ndër vite. Kjo gjë bëhet e pamundur pasi MSh në atë kohë krijoi kushtet për fragmentarizim të sistemit, nën shembullin e ligjit 7501 për ndarjen e tokës mes fshatarëve. Më pas ai zhvendoset nga pozicioni dhe ndërmarrja farmaceutike fillon shpërbërjen.

Kanë qenë kohë të vështira, kur ishte e vështirë për shqiptarët të aksesonin barnat dhe kishte mungesa të mëdha. Pikërisht në këtë periudhë ai hap farmacinë e parë private në Elbasan duke bashkëpunuar me subjekte farmaceutike zvicerane dhe greke, e më vonë nga gjithë Evropa. Më vonë hap dhe depon e parë farmaceutike në Elbasan, e cila vazhdon aktivitetin e saj deri në vitin 2009.

Sot Akademia e Farmacisë “Eureka” merr këtë trashëgimi të çmuar me qëllimin e mirë për ta çuar përpara, për të kontribuar që profesionistët e farmaceutikës të thellojnë dijet e tyre, që farmacistët të respektojnë dhe të
respektohen në
profesionin e tyre, dhe që sektori farmaceutik shqiptar të përballet denjësisht me sfidat e shekullit të XXI.

Ledjan Malaj Akademia e Farmacisë “Eureka”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

en_USEN