Akademia e Farmacisë "Eureka"

Historiku

Akademia e Farmacisë “Eureka” e themeluar nga Prof. Ledjan Malaj vazhdon traditën e familjes Malaj dhe të Kompanisë “Eureka” Shpk, një ndër farmacitë e para e më pas distributor farmaceutik në Shqipëri.

“Eureka” Shpk lindi në fillim të viteve ‘90 në qytetin e Elbasanit, për t’ju gjendur pranë në ato momente të vështira pacientëve të qytetit, falë Baftjar Malajt, farmacistit me një kontribut të pakursyer në shumë dimensione.

Si profesionist i shëndetësisë, i sistemit publik ai punoi nga fundi i viteve ‘60 e deri në fillim të viteve ‘90 në nivele të ndryshme të sistemit shëndetësor të rajonit Elbasan duke përmirësuar shërbimet ndaj komunitetit.

Me mbarimin e shkollës së lartë, edhe pse u dallua si një nga farmacistët më të talentuar të brezit të tij në Tiranë, ai u kthye në Elbasan, duke zgjedhur përkohësisht t’i shërbejë komunitetit të Cërrikut dhe më vonë sërish në Elbasan. Në fund të viteve ‘70 ai ka mbajtur pozicionin e zv. shefit të seksionit për shëndetësinë, ku ka dhënë kontribut thelbësor në ngritjen e infrastrukturës shëndetësore të qytetit dhe rajonit, duke filluar nga qendrat shëndetësore dhe deri në përmirësimin e kushteve të strukturave poli-ambulatore dhe spitalore.

Gjithashtu ai dha kontribut në ngritjen e nivelit të burimeve njerëzore duke krijuar mundësi për kuota specializimi dhe ngritjeje për profesionistët e shëndetësisë të qytetit dhe rajonit. Ai u angazhua gjatë kësaj kohe dhe në zhvillimin e mëtejshëm të shëndetit publik në territor, duke dhënë kontribut të rëndësishëm në regjistrat e statistikave, monitorimin e treguesve dhe marrjen e masave të higjenës aq të rëndësishme për komunitetin.  

Në vitet ‘80 ai mori pozicionin e drejtorit të shërbimit farmaceutik për Elbasanin dhe gjithë rajonin. Një mundësi për të dhënë një kontribut edhe më specifik në ngritjen e profesionit të tij si farmacist, gjë që kishte bërë dhe gjatë kohës kur mbante pozicion në komitetin ekzekutiv. Ai riarganizoi në themel infrastukturën e farmacive, duke ngritur rreth 30 farmaci në qytetin e Elbasanit dhe rajon, me një koncept të ri, duke i vendosur farmacitë në pozicione qendrore brenda komunitetit. Një sistem organik që arriti, brenda mundësive të kohës, të garantonte një cilësi për qytetarët e Elbasanit, të ngjashme me ato të Tiranës. Një gjë kjo që u vlerësua në disa raste nga institucionet e kohës, për drejtorinë dhe për vetë Baftjar Malaj, i cili ka marrë gjatë jetës së tij shumë çmime.

Rrjeti farmaceutik i Elbasanit u dallua për krijimin e farmacive të specializuara për kujdesin pediatrik, formalizimin e farmacisë të bimëve popullore, si dhe administrimin e shpërndarjes së shërbimeve në disa nivele, nga depoja farmaceutike, tek farmacitë e territorit dhe ato spitalore. Risi këto për kohën.

Një faktor thelbësor në ngritjen e cilësisë së shërbimit ishte dhe përkujdesi për ngritjen profesionale dhe shkencore të burimeve njerëzore. Shpesh farmacistë nga Elbasani arrinin të prezantonin risi profesionale dhe shkencore dhe punime pikërisht si rezultat i frymës së krijuar nga ky drejtues.

Në fillimin e viteve ‘90 ai sëbashku me kolegët e tij kërkuan të privatizojnë ndërmarrjen farmaceutike të qytetit, duke bërë aksionerë punonjësit e saj dhe duke ruajtur strukturën e krijuar ndër vite. Kjo gjë bëhet e pamundur pasi MSh në atë kohë krijoi kushtet për fragmentarizim të sistemit, nën shembullin e ligjit 7501 për ndarjen e tokës mes fshatarëve. Më pas ai zhvendoset nga pozicioni dhe ndërmarrja farmaceutike fillon shpërbërjen.

Kanë qenë kohë të vështira, kur ishte e vështirë për shqiptarët të aksesonin barnat dhe kishte mungesa të mëdha. Pikërisht në këtë periudhë ai hap farmacinë e parë private në Elbasan duke bashkëpunuar me subjekte farmaceutike zvicerane dhe greke, e më vonë nga gjithë Evropa. Më vonë hap dhe depon e parë farmaceutike në Elbasan, e cila vazhdon aktivitetin e saj deri në vitin 2009.

Sot Akademia e Farmacisë “Eureka” merr këtë trashëgimi të çmuar me qëllimin e mirë për ta çuar përpara, për të kontribuar që profesionistët e farmaceutikës të thellojnë dijet e tyre, që farmacistët të respektojnë dhe të
respektohen në
profesionin e tyre, dhe që sektori farmaceutik shqiptar të përballet denjësisht me sfidat e shekullit të XXI.

Ledjan Malaj

Profesor Ledjan Malaj është përgjegjës i lëndës së Teknologjisë Farmaceutike pranë Universitetit të Mjekësisë, Tiranë, Departamenti i Farmacisë.
Aktualisht ai mban pozicionin e Drejtuesit të këtij Departamenti dhe më parë ka mbajtur pozicionin e Zv/Dekanit të Fakultetit të Farmacisë dhe drejtues i departamentit të Teknologjisë Farmaceutike dhe Biofarmacisë.
Pedagog i brendshëm që nga viti akademik 2001-2002, me kontribut të qenësishëm në nivel akademik dhe profesional në sektorin dhe shërbimin farmaceutik në Republikën e Shqipërisë, Republikën e Kosovës dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut,
Profesor Ledjan Malaj i përket brezit që në fillim të shekullit XXI zgjodhi të kthehej në Shqipëri për të dhënë kontribut në ndryshimet e mëdha sistemike në vend, por dhe në rajon.
Sot ai është një ndër figurat më të spikatura të Teknologjisë Farmaceutike në Evropën Juglindore, duke shtrirë bashkëpunimet në shumë vende të BE-së.
Profesor Ledjan Malaj ka zhvilluar studimet në Universitetin e Camerino-s, ku është diplomuar “Dottore in Farmacia” con lode, e më pas ka mbrojtur titullin Doktor Shkencash në Teknologji Farmaceutike me vlerësimin maksimal. Ai ka zhvilluar periudha shkëmbimi si student doktorature në Universitetin e Lille II në Francë, e vazhdon ende të jetë i angazhuar në programe shkëmbimi si Visiting Profesor në universitetet e vendeve të BE-së.

Profesor Ledjan Malaj është Auditor Klinik i certifikuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ekspert i Vlerësimit të Cilësisë për Ministrinë e Arsimit, si dhe pjesëmarrës aktiv në komisionet e posaçme të Urdhrit të Farmacistëve.

Libra të publikuar:

Pharmaceutical Technology 1 [2021 – 2022] Textbook for pharmacy students (University of Medicine, Tirana)
Pharmaceutical Technology 2 [2021 – 2022] Textbook for pharmacy students (University of Medicine, Tirana)

Receptura Magjistrale dhe Galenike [ 2016 ] Prishtine 2016 (Botim i dytë). ISBN 978-9951-426-46-6

Manual i Përgatitjeve Galenike [2016] Tiranë 2016. ISBN 978-9928-134-82-0

Receptura Magjistrale dhe Galenike [2007] Prishtinë 2007

Prof Ledjan Malaj është autor dhe bashkëautor i dhjetëra publikimeve ndërkombëtare, si dhe ka mbështetur thirrjen e konferencave të shumta rajonale dhe vendore.

en_USEN