L O A D I N G
Akademia e Farmacisë EurekaAkademia Eureka
  • Kreu
  • Lajme
  • Njoftime
  • Rreth nesh
  • Na kontaktoni
SQEN

Baftjar Malaj — një jetë në shërbim të farmacisë

  1. Kreu
  2. Baftjar Malaj — një jetë në shërbim të farmacisë
  • Lajme
  • 27 Tetor 2022

Trashëgimia farmaceutike e familjes Malaj, mbi të cilën ngrihet sot Akademia e Farmacisë “Eureka”, fillon me një emër: Baftjar Malaj, farmacisti me një kontribut të pakursyer në shumë dimensione, njeriu të cilit qyteti i Elbasanit i detyrohet për dekada shërbimi.

Me mbarimin e shkollës së lartë, edhe pse u dallua si një nga farmacistët më të talentuar të brezit të tij në Tiranë, ai zgjodhi të kthehej në Elbasan — fillimisht në shërbim të komunitetit të Cërrikut e më pas sërish në qytetin e tij. Nga fundi i viteve ‘60 e deri në fillim të viteve ‘90 punoi në nivele të ndryshme të sistemit publik shëndetësor të rajonit Elbasan, duke përmirësuar pandërprerë shërbimet ndaj komunitetit.

Në fund të viteve ‘70 mbajti pozicionin e zëvendësshefit të seksionit për shëndetësinë, ku dha kontribut thelbësor në ngritjen e infrastrukturës shëndetësore të qytetit dhe rajonit — nga qendrat shëndetësore deri te përmirësimi i kushteve të strukturave poli-ambulatore dhe spitalore. Krijoi mundësi për kuota specializimi dhe ngritjeje profesionale për punonjësit e shëndetësisë dhe u angazhua në zhvillimin e shëndetit publik në territor: regjistrat e statistikave, monitorimi i treguesve dhe masat e higjienës aq të rëndësishme për komunitetin.

Në vitet ‘80 mori drejtimin e shërbimit farmaceutik për Elbasanin dhe gjithë rajonin. Aty riorganizoi në themel infrastrukturën e farmacive, duke ngritur rreth 30 farmaci me një koncept të ri — të vendosura në pozicione qendrore brenda komunitetit. Ky sistem organik arriti, brenda mundësive të kohës, t’u garantonte qytetarëve të Elbasanit një cilësi shërbimi të ngjashme me atë të Tiranës, gjë që u vlerësua në disa raste nga institucionet e kohës; vetë Baftjar Malaj ka marrë gjatë jetës së tij shumë çmime.

Rrjeti farmaceutik i Elbasanit nën drejtimin e tij u dallua për risi që i paraprinë kohës: farmaci të specializuara për kujdesin pediatrik, formalizimi i farmacisë së bimëve popullore dhe administrimi i shpërndarjes në disa nivele — nga depoja farmaceutike te farmacitë e territorit dhe ato spitalore. Përkujdesja e tij për ngritjen profesionale dhe shkencore të farmacistëve bëri që kolegë nga Elbasani të prezantonin shpesh risi dhe punime shkencore.

Në fillimin e viteve ‘90, së bashku me kolegët, kërkoi të privatizonte ndërmarrjen farmaceutike të qytetit duke i bërë punonjësit aksionerë dhe duke ruajtur strukturën e krijuar ndër vite. Kjo u bë e pamundur nga kushtet e krijuara për fragmentarizimin e sistemit dhe ndërmarrja nisi shpërbërjen.

Ishin kohë të vështira, kur për shqiptarët ishte e vështirë të gjenin barna dhe mungesat ishin të mëdha. Pikërisht atëherë ai hapi farmacinë e parë private në Elbasan, në bashkëpunim me subjekte farmaceutike zvicerane dhe greke, e më vonë nga gjithë Evropa. Më pas hapi edhe depon e parë farmaceutike në Elbasan, e cila e vazhdoi aktivitetin deri në vitin 2009 — themeli i kompanisë “Eureka” Shpk dhe i traditës që sot mban gjallë Akademia e Farmacisë “Eureka”.

Powered by gammaplan Software Solutions

Search

What are you looking for?

Menu
  • Kreu
  • Lajme
  • Njoftime
  • Rreth nesh
  • Na kontaktoni
SQEN