L O A D I N G
Akademia e Farmacisë EurekaAkademia Eureka
  • Kreu
  • Lajme
  • Njoftime
  • Rreth nesh
  • Na kontaktoni
SQEN

Historia e advokimit për Farmakopenë Evropiane

  1. Kreu
  2. Historia e advokimit për Farmakopenë Evropiane
  • Lajme
  • 8 Dhjetor 2022

Që prej muajit shtator 2019 Shqipëria u bë pjesë e vendeve që aderojnë në konventën evropiane të Farmakopesë, një mekanizëm i Këshillit të Evropës që përcakton standartet e cilësisë dhe kontrollit për sektorin farmaceutik. Ratifikimi nga Parlamenti i dha fund një neglizhence institucionale 24-vjeçare, që e kishte mbajtur Shqipërinë si të vetmin vend në hapësirën evropiane jashtë konventës. Pakkush mund të ndjehet sot më i gëzuar nga ky vendim sesa Admir Malaj, farmacisti alumn i Shkollës së Studimeve Politike, i cili nisi katër vite më parë një aktivizim të mirëfilltë advokues për këtë çështje.

Insistimi i tij i palodhur në çdo takim me diplomatët e huaj, angazhimi i studentëve të farmacisë, por dhe mediatizimi i kësaj problematike, mund të thuhet tashmë se ia kanë vlejtur. Kjo është padyshim njëra nga historitë e suksesit të kontributit që ofrojnë alumnët e Shkollës në proceset e politikëbërjes dhe nxitjen e reformave të rëndësishme integruese në vend.

Rrjetëzimi në Këshillin e Evropës

Si një profesionist dhe kërkues shkencor në fushën rregullatore farmaceutike, Admir Malaj u bë pjesë e Shkollës së Studimeve Politike të gjeneratës 2015. Falë programit të Shkollës, atij iu dha mundësia që të vizitonte Këshillin e Evropës dhe misionin diplomatik shqiptar në Strazburg, aty ku ndodhet edhe selia e Farmakopesë. Në pritjen e shtruar nga ambasadorja Ardiana Hobdari, Admiri pati mundësinë që të diskutonte mbi problematikën e sigurisë farmaceutike, si dhe për Farmakopenë evropiane. Vendi ynë gëzonte statusin e vëzhguesit në këtë organizëm, por nuk kishte përfaqësim të rregullt në aktivitetet e tij. Ambasadorja shprehu interesimin e vazhdueshëm të misionit për anëtarësimin në Farmakope si dhe ftesat e dërguara institucioneve përgjegjëse për të pasur një përfshirje më të madhe.

Në vazhdim të këtij takimi, Admiri mundësoi vendosjen në kontakt të ambasadores me drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Barnave. Si pasojë e këtij rrjetëzimi një delegacion nga Shqipëria u ftua në mbledhjen e radhës të Farmakopesë, një përfaqësim i munguar prej shumë vitesh nga institucionet shqiptare. Gjatë vitit 2016 dhe më vonë, vizitat e delegatëve shqiptarë në takimet e Farmakopesë u shpeshtuan por për fat të keq, ky komunikim nuk u shoqërua me një rezultat pozitiv. Për shkak të disa ndryshimeve në pushtetin ekzekutiv që prekën edhe institucionet përgjegjëse për politikat në Shëndetësi si dhe mbarimin e misionit të zonjës Hobdari në Strazburg, u duk se heshtja do të mbulonte përsëri këtë inisiativë. “Në këto momente e kuptova se nuk mjaftonte vetëm sensibilizimi dhe vendosja në kontakte e aktorëve për të arritur një hap të tillë. Ishte i nevojshëm një angazhim më i strukturuar advokimi ndaj institucioneve publike”, kujton Admiri.

Advokim në politikëbërje

Si një alumn i Shkollës, Admiri u përzgjodh në vitin 2016 për t’u bërë pjesë e një trajnimi mbi advokimin dhe nismat publike, i mbështetur nga Fondacioni Shoqëria e Hapur për Shqipërinë (OSFA). Ndërmjet të tjerash, ai pati mundësi të informohet nga stafi i shkollës dhe trajnuesja znj. Sashenka Lleshaj, mbi mënyrën më të mirë për të çuar përpara një nismë ligjore, sepse anëtarësimi në Farmakopenë Evropiane kërkonte miratimin e ligjit të posaçëm për ratifikimin e konventës në Parlament. “Njohuritë e fituara në këtë trajnim më ndihmuan që të ndërtoj një strategji advokimi ndaj politikëbërësve. Përfshirja e aktorëve të ndryshëm në këtë proces ishte çelësi për të arritur rezultate”, nënvizon Admiri.

Kësaj radhe ai e filloi ndërhyrjen e tij nga bota akademike. Admiri ndërmori takime sensibilizuese me kolegë kërkues e pedagogë në fushat farmaceutike dhe me studentët e departamentit të farmacisë. Në fund të vitit 2017, së bashku me këta të fundit, ai filloi një fushatë sensibilizimi në rrjetet sociale me hashtag #DuamFarmakopeSiGjithëEvropa, si dhe disa shënime shoqëruese, që shërbyen për informimin e disa mediave online dhe ato vizive. Kjo ndihmoi që Farmakopeja të bëhej e njohur për herë të parë nga publiku i gjerë. Në Prill 2018 Admiri do të tërhiqte vëmendjen e diplomatëve të Delegacionit të Bashkimit Evropian me diskutimin e tij gjatë dëgjesave të shoqërisë civile në vijim të publikimit të raportit vjetor të Komisionit Evropian. Ai do të nënvizonte edhe njëherë përfundimin e raportit mbi “mosqënien në linjë me acquis të legjislacionit mbi barnat”, që të kujtonte edhe njëherë se Shqipëria nuk ishte ende pjesë e Farmakopesë.

Advokimi u intensifikua më tej, kur në maj 2018, u angazhuan në këtë fushatë edhe një grup studentësh të departamentit të farmacisë pranë Universitetit të Tiranës. Të rinjtë dërguan një kërkesë zyrtare informacioni pranë institucioneve përgjegjëse mbi ecurinë e ratifikimit të konventës. Admiri nuk ishte më i vetëm në këtë rrugëtim falë insistimit të palodhur disavjeçar. Në përgjigjen ndaj letrës së studentëve nga Avokati i Popullit, konfirmohet për herë të parë se Ministria e Shëndetësisë kishte iniciuar procesin për ratifikimin e konventës, në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme. Pas 24 vitesh neglizhence, më në fund procesi i anëtarësimit në Farmakope po bëhej realitet.

Ministria e Shëndetësisë finalizoi me sukses procesin ligjor dhe falë tij në shtator 2019, Shqipëria u bë vendi i 39-të që aderon në Konventën për Përpunimin e Farmakopesë Evropiane. Ky anëtarësim krijon mundësitë për standarde cilësie dhe sigurie të barnave, duke na afruar gjithnjë e më shumë me tregun e përbashkët Evropian. Miratimi i saj gjithashtu krijon më shumë mundësi rritjeje profesionale për farmacistët shqiptarë dhe gjithë sektorin farmaceutik të vendit.

“Kur shoh sot pas në kohë, ndjej një kënaqësi shumë të madhe për faktin se së bashku me kolegë dhe studentë të farmacisë kemi qenë të aftë të vendosim dhe mbajmë fort në agjendën e politikëbërësve ratifikimin e konventës për përpunimin e Farmakopesë Evropiane”, shprehet Admiri, në përmbylljen me sukses të një advokimi që ka zgjatur mbi katër vite. Admiri dëshiron të mos mbajë për vete të gjitha meritat e kësaj inisiative: “Nuk do t’ia kisha dalë mbanë pa mbështetjen e shumë aktorëve që u përfshinë në këtë aventurë të gjatë. Shkolla e Studimeve Politike ka qenë mbështetësja e nismës falë edukimit mbi advokimin dhe nismat publike, por dhe rrjetëzimit me aktorë të tjerë, që mund të çonin edhe më përpara këtë proces. Një meritë e veçantë i takon Ministrisë së Shëndetësisë që është nismëtare dhe finalizuese e ratifikimit të konventës. Kjo mendoj është sinergjia e duhur midis politikëbërjes, shoqërisë civile dhe akademisë, që i duhet vendit për të bërë në një brez atë që mund të bëhet në dy apo tre breza”.

Powered by gammaplan Software Solutions

Search

What are you looking for?

Menu
  • Kreu
  • Lajme
  • Njoftime
  • Rreth nesh
  • Na kontaktoni
SQEN