L O A D I N G
Akademia e Farmacisë EurekaAkademia Eureka
  • Kreu
  • Lajme
  • Njoftime
  • Rreth nesh
  • Na kontaktoni
SQEN

Si u bë Shqipëria anëtare e Farmakopesë Evropiane?

  1. Kreu
  2. Si u bë Shqipëria anëtare e Farmakopesë Evropiane?
  • Lajme
  • 8 Dhjetor 2022

Farmakopeja Evropiane është një mekanizëm i Këshillit të Evropës, me seli në Strazburg, që përcakton standardet e cilësisë dhe të kontrollit për sektorin farmaceutik. Vendet që aderojnë në konventën e saj angazhohen për t’i zbatuar këto standarde në prodhimin dhe kontrollin e barnave.

Për vite me radhë Shqipëria gëzonte vetëm statusin e vëzhguesit në këtë organizëm, pa përfaqësim të rregullt në aktivitetet e tij — i vetmi vend i hapësirës evropiane jashtë konventës, një neglizhencë institucionale që zgjati 24 vjet.

Hapat e parë konkretë u hodhën në vitin 2016, kur pas rrjetëzimit me misionin diplomatik shqiptar në Strazburg, një delegacion nga Shqipëria u ftua në mbledhjen e radhës të Farmakopesë — një përfaqësim i munguar prej shumë vitesh nga institucionet shqiptare. Vizitat e delegatëve u shpeshtuan, por fillimisht pa një rezultat konkret.

Çështja mori vëmendje publike gjatë viteve 2017-2018: një fushatë sensibilizimi në rrjetet sociale me hashtag #DuamFarmakopeSiGjithëEvropa, e ndjekur nga një kërkesë zyrtare informacioni që studentët e farmacisë të Universitetit të Tiranës i dërguan institucioneve përgjegjëse. Në përgjigjen e Avokatit të Popullit ndaj letrës së studentëve u konfirmua për herë të parë se Ministria e Shëndetësisë kishte nisur procesin e ratifikimit të konventës, në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme.

Anëtarësimi kërkonte miratimin e një ligji të posaçëm në Parlament për ratifikimin e konventës. Ministria e Shëndetësisë e finalizoi me sukses procesin ligjor dhe në shtator 2019 Shqipëria u bë vendi i 39-të që aderon në Konventën për Përpunimin e Farmakopesë Evropiane.

Anëtarësimi krijon mundësi për standarde cilësie dhe sigurie të barnave, duke e afruar Shqipërinë gjithnjë e më shumë me tregun e përbashkët evropian. Ai hap gjithashtu më shumë rrugë rritjeje profesionale për farmacistët shqiptarë dhe për gjithë sektorin farmaceutik të vendit.

Powered by gammaplan Software Solutions

Search

What are you looking for?

Menu
  • Kreu
  • Lajme
  • Njoftime
  • Rreth nesh
  • Na kontaktoni
SQEN