Profesor Ledjan Malaj, themeluesi i Akademisë
- Lajme
- 27 Tetor 2022
Profesor Ledjan Malaj, themeluesi i Akademisë së Farmacisë “Eureka”, është përgjegjës i lëndës së Teknologjisë Farmaceutike pranë Universitetit të Mjekësisë në Tiranë, Departamenti i Farmacisë. Aktualisht mban pozicionin e Drejtuesit të këtij Departamenti; më parë ka qenë Zëvendësdekan i Fakultetit të Farmacisë dhe drejtues i departamentit të Teknologjisë Farmaceutike dhe Biofarmacisë.
Pedagog i brendshëm që nga viti akademik 2001-2002, ai ka dhënë kontribut të qenësishëm në nivel akademik dhe profesional në sektorin dhe shërbimin farmaceutik në Republikën e Shqipërisë, Republikën e Kosovës dhe Republikën e Maqedonisë së Veriut. I përket brezit që në fillim të shekullit XXI zgjodhi të kthehej në Shqipëri për të dhënë kontribut në ndryshimet e mëdha sistemike në vend dhe në rajon. Sot është një ndër figurat më të spikatura të Teknologjisë Farmaceutike në Evropën Juglindore, me bashkëpunime të shtrira në shumë vende të Bashkimit Evropian.
Studimet i ka zhvilluar në Universitetin e Camerino-s në Itali, ku është diplomuar “Dottore in Farmacia” con lode, dhe më pas ka mbrojtur titullin Doktor Shkencash në Teknologji Farmaceutike me vlerësimin maksimal. Ka kryer periudha shkëmbimi si student doktorature në Universitetin e Lille II në Francë dhe vazhdon të angazhohet në programe shkëmbimi si Visiting Profesor në universitete të vendeve të BE-së.
Profesor Malaj është Auditor Klinik i certifikuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ekspert i Vlerësimit të Cilësisë për Ministrinë e Arsimit, si dhe pjesëmarrës aktiv në komisionet e posaçme të Urdhrit të Farmacistëve.
Ndër librat e publikuar: Pharmaceutical Technology 1 dhe 2 (tekste për studentët e farmacisë, Universiteti i Mjekësisë, Tiranë, 2021-2022); Receptura Magjistrale dhe Galenike (Prishtinë 2016, botim i dytë, ISBN 978-9951-426-46-6); Manual i Përgatitjeve Galenike (Tiranë 2016, ISBN 978-9928-134-82-0); Receptura Magjistrale dhe Galenike (Prishtinë 2007).
Ai është autor dhe bashkëautor i dhjetëra publikimeve ndërkombëtare dhe ka mbështetur organizimin e konferencave të shumta rajonale e vendore.